Julius

Παρασκευή 6 Ιουνίου 2008

CIA, dosjet sekrete.

Një vështrim i shkurtër historik.

Themelimi i CIA-s vjen si rezultat i reflektimit mbi sulmin e papritur të Japonëve mbi bazën detare të Pearl Harbour në 7 Dhjetor 1941. Paaftësia e agjentëve të FBI-së për të parandaluar dhe marrë masa ndaj sulmit në fjalë, e fut në mendime të thella presidentin e atëhershëm të SHBA Harry Truman. Kështu vendos së pari t’i heqë të gjitha të drejtat shefit të plotpushtetshëm të FBI Edgar Hoover për të marrë dhe përpunuar informacione strategjike në lidhje me politikën e jashtme amerikane. Më tej do t’i ndalojë atij të ndërmarrë operacione jashtë kufijve të Amerikës. Këto vendime do të shënonin gjenezën e CIA-s, por dhe fillimin i një armiqësie midis dy agjensive njëra brenda amerikës (FBI) dhe tjetra jashtë saj (CIA).
Në fillim, vendoset në krye të agjensisë një avokat me emrin Allen Dulles si përfaqësuesi civil i saj. Rreth Allen me iniciativën e gjeneralit në pension Donovan mblidhen një grup ushtarakësh dhe njerëzish të tjerë të zgjedhur, të trajnuar për operacione speciale.
“Ju do të jeni sytë dhe veshët e Amerikës, por jo shpirti dhe zemra e saj” – citohet të ketë thënë koloneli në pension i mishëruar nga Robert de Niro në fimin “The good shepherd” Në historinë real, këtij roli i përgjigjet gjenerali Donovan, inspiruesi i CIA-s.
Qëllimi pra, ishte që CIA të funksiononte si agjensi kundërzbulimi. Do të mblidhte informacion, skedonte, transkriptonte dhe vlerësonte atë që të kundërvepronte më pas. Për të mbledhur këto informata, do të përdorte agjentë të infiltruar brenda shteteve dhe organizatave të tjera. Shkurt, do të ishte një agjensi spiunazhi. Si fillim në të do të inkuadroheshin rreth 30 vetë, ndërsa sot mbi 100.000 të tillë. Buxheti fillestar disa qindra mijra dollarë ndërsa tani llogariten disa miliarda në vlerë dyshifrore (CIA ka të drejtën e fshehjes së të ardhurave, shifrat llogariten me përafërsi). Rezidenca në Langley, Virginia 20 kilometra larg Washington.

Objektivi kryesor i CIA-s do të ishte Bashkimi Sovjetik. Aty do të përqëndroheshin shumica e agjentëve, buxhetit dhe energjive të të gjithë organizatës. Përqëndrimi te ky objektiv kryesor, do të ishte gabimi i parë sipas agjentëve të atyre kohëve.

“CIA ishte krijesë e luftës së ftohtë. Detyra jonë ishte të detektonim agjentë sovjetikë kudo që ata ndodheshin, Kubë, Guatemalë, Lindjen e Mesme, Afrikë etj. 50-60% e buxhetit shkonte në këtë drejtim. Për tia arritur kësaj do të duhej të infiltroheshim në qeveritë dhe organizatat e tyre, kudo që ndodheshin.”


Gabimi i dytë do të ishte importimi i nazistëve në Amerikë, fill pas perudhës së gjyqeve. Po kjo ishte kosto që duhej paguar për të marrë kontrollin mbi firmat e naftës që vepronin në Lindjen e Mesme dhe deri atëherë i kishin gjermanët nën kontroll.
Citoj prej një agjenti:
“Pas luftës së dytë botërore Amerika e infektoi veten e vet me nazistë. Duhej të vinim në kontakt me ta për këtë importuam trurin e tyre. Ishte një kosto që duhej paguar.”

Vetë Dulles pas luftës, kishte shkuar në Zvicër për të negociuar në lidhje me gjyqet dhe vendimet që do jepeshin rreth nazistëve. Kështu fituan lidhjet dhe kontrollin mbi kompanitë e naftës në Arabinë Saudite. Më kryesorja e kontrolluar prej nazistëve deri në atë kohë ishte “Standart Oil.”

CIA, në fillim varej direkt prej presidentit amerikan. I përgjigjej vetëm atij. Natyra sekrete e organizatës u jepte dorë të lirë agjentëve për të ndërmarrë veprime rreth të cilave nuk i jepnin llogari popullit amerikan. Ndërsa prej presidentëve, u pa si një vegël nëpërmjet së cilës mundeshin të impononin politikën e tyre në botë. Kjo varësi kishte vlera të ndryshueshme dhe ndonjëherë të manipulueshme. Varej gjithnjë prej marrëdhënieve midis CIA dhe rezidentit aktual të Shtëpisë së Bardhë
Shumica e agjentëve të vjetër bien dakort se kur fshehtësia mbulonte veprimet e organizatës, atëherë kjo ishte më funksionale. Por gjithnjë funsionaliteti i takonte periudhave të hershme. Që nga Ajzenhauer deri dhe tek Kenedi. Atëherë po, vepronte vërtet. Më pas e humbet efikasitetin për shkak të daljes hapur, skandaleve dhe mendjemadhësisë. Por deri sa të arrinin në këtë pikë, kishin mbledhur në llogarinë pozitive disa suksese të bujshme.

Së shpejti: Pagëzimi me zjarrin. Operacioni Ajax në Iran.